Home

blerilleshi4_600Sipas shumë politikanëve, udhëheqësve të ndërmarrjeve dhe të tjerëve, në këtë kohë krizash nuk ka alternativë tjetër përveç uljes së shpenzimeve të pagave dhe të punuarit me më shumë ditë gjatë javëve apo me më shumë orë gjatë ditëve. “Nuk kemi zgjedhje tjetër”, pretendojnë ata. Por, a është e vërtetë?

Nëse qeveritë duhet zgjedhin për ta ndjekur njërin nga këto “opsione”, kjo do të ishte një dëshmi e radhës se shteti është shantazhuar prej kapitalit dhe prej një eliteje të vogël aksionarësh dhe menaxherësh kryesorë.

Kriza është akoma atje

Rastësi ose jo, sa më shumë njerëz që zhyten në varfëri, humbasin vendet e tyre të punës, varen nga kreditë… fitimet rriten për këtë elitë të vogël në numër. Kriza prodhon shumë pasiguri për njerëzit e shtresës së mesme, por jo edhe për të pasurit, dhe posaçërisht për super të pasurit.

Kanë kaluar pesë vite që prej fillimit të krizës dhe akoma nuk ka shenja ringjalljeje. Përkundrazi: të dhënat nuk na tregojnë qoftë edhe një shkëndijë drite në fund të tunelit.

Shumica nga ne pritëm prej qeverive të veprojnë me vendosmëri kundër bankave dhe spekulatorëve, ndërkohë që taksapaguesit që i zgjedhën ata, u shtrënguan të paguanin për shpëtimin e tyre. Por reagimi i qeverive dhe organizatave ndërkombëtare na la të gjithëve duarthatë, ndërkohë që për elitën e cila kishte pushtetin dhe kapitalin, ishte thjesht biznes, si zakonisht.

Politikanët as u lodhën së paku të na shpjegojnë se përse ne akoma jemi në krizë, e lëre më të ofrojnë një zgjidhje. Sërish dhe sërish, ata na e shpjeguan neve se kjo krizë dhe pasojat e saj janë shumë komplekse për t’u kuptuar prej neve, qytetarëve. Për më tepër, ata deklarojnë se janë duke vepruar mirë dhe masat drastike të shkurtimeve po fshihen prapa një diskursi të mjegullt të rritjes ekonomike, për të cilën flitet para kamerave.

Varfëria

Por, realiteti i sotëm në Belgjikë dhe Evropë nuk mund të fshihet më. Bazuar në raportimet më të fundit të Komisionit Evropian, 20.8% e belgëve jetojnë në varfëri. Në rastin e prindërve të vetëm, shifrat arrijnë në 35%. Të dhënat e fundit rreth varfërisë tek fëmijët, janë po aq alarmuese.

E as Eurozona si e tërë nuk qëndron më mirë. Sipas të dhënave të Eurostatit (dhjetor 2012), mbi 18 milion njerëz janë të papunë. Kjo paraqet shifrën më të lartë që prej 1995-s. Në vendet e Evropës Jugore, të dhënat rreth papunësisë janë katastrofale. Jo befasisht, varfëria po rritet anekënd Evropës. Pothuajse 25% e popullatës evropiane është rrezikuar prej varfërisë. Ky është realiteti. Po cilat janë zgjidhjet?

Gjermania si model

Politikanë dhe liderë korporatash anembanë Evropës, bëjnë thirrje për reforma gjermane. Pak më herët (tetor 2012), sidoqoftë, qeveria gjermane lëshoi një raport rreth varfërisë në vend, që tregonte se varfëria ka shënuar rritje. Autorët pretendojnë poashtu se gjendja e miliona punëtorëve të varfër nuk është e qëndrueshme. Në Gjermani, 1 në 7 fëmijë janë në rrezik për të jetuar në varfëri. Pak ditë pas prezantimit të raportit në fjalë, ministrat kryesorë në qeveri kërkuan ndryshime në raport, pasiqë shifrat ishin katastrofike. Në vend të së vërtetës, ata preferuan t’i gënjejnë qytetarët gjermanë.

Në vende të ndryshme evropiane, siç është Gjermania, elitat janë duke kërkuar të zgjedhin ndërmjet uljes së shpenzimeve në paga apo ditëve të zgjatura të punës (e mundësisht të dyjat nga këto). Por pse duhet ne të zgjedhim opsione për këto masa, kur veçse e kemi parë se ata nuk bëjnë asgjë të mirë për gjermanët?

Të vetmit që kanë për të fituar prej kësaj gjendje janë një elitë e vogël, interesat e të cilëve mbrohen prej politikanëve aktual dhe njerëzve tjerë të pushtetshëm. Sa i përket Gjermanisë, në të njëjtin raportim, ne lexojmë që “gjermanët” kanë para gjithnjë e më tepër, por në fakt janë gjermanët më të pasur, ata që po pasurohen nga dita në ditë. 10% e gjermanëve, që përbëjnë klasën më të pasur, posedojnë më shumë se gjysmën e të mirave totale financiare, ndërkohë që gjysma e gjermanëve, ata më të varfërit, posedojnë vetëm rreth 1%.

Maksimizimi i vlerës së aksionarëve

Dikur, e që duket të ketë kaluar shumë kohë që atëherë, për industrialistët dhe aksionarët ishte normale të investuarit në kompanitë e tyre. Prej viteve ’80 e këndej dhe rritjes së neoliberalizmit, nuk ndodh më kështu. Ditëve të sotme, një model tjetër është duke dominuar botën e biznesit dhe tregtisë: maksimizimi i vlerës së aksionarëve.

Ky koncept mund të shpjegohet lehtësisht në një gjuhë të kuptueshme. Aksionarët nuk janë më të interesuar për të investuar në biznesin e tyre. Ata duan të krijojnë fitime dhe eventualisht, sa më shpejtë që të jetë e mundshme. Dhe këtu menaxherët futen në lojë, ose siç njihen sot: “top menaxherët”. Ata janë heronjtë e aksionarëve. Ata kanë duart e lira për të bërë punët e tyre, për sa kohë që gjenerojnë fitime për aksionarët (dhe për vetveten e tyre, natyrisht). Se si i realizojnë ato fitime këta “top menaxherë”, ka pak rëndësi për aksionarët. Atyre nuk iu bëhet vonë për pasojat afatshkurtëra apo afatgjata për kompaninë dhe/ose çfarë ndodh në të ardhmen. Kjo është shumë shqetësuese për të punësuarit.

Këta menaxherë me pozita të larta, ndërmarrin rreziqe edhe më të mëdha, për të realizuar fitime edhe më të mëdha. Meqë ra fjala: këto rrezikime dhe spekulime luajtën një rol të rëndësishëm në shfaqjen e krizës, në të cilën jemi dhe sot.

Përveç rrezikimeve në tregjet financiare, ka edhe mënyra tjera për këta “top menaxherë” që të realizojnë fitime. Metoda më e përdorur është rrezikimi i punëtorëve dhe vendeve të tyre të punës: shkurtimet (masive), zvogëlimi i shpenzimeve për paga, zgjatja e orëve të punës, ulje e investimeve në punësim, etj. Nëse nuk ndodh kjo, ata kërcënojnë se do ta bartin prodhimin në vende me kosto më të ulët pageseje, siç janë India, Indonezia dhe Kina.

Shantazhim i pastër për të rritur fitimet për aksionarët dhe “top menaxherët”. Siç mund ta shohim, shantazhet e tyre funksionojnë në shumicën e kohës dhe ata marrin atë çfarë duan. Nuk është rastësi që këto elita po pasurohen dita-ditës, përkundër krizës. Është forca punëtore, ajo që po viktimizohet nga ky shantazhim sistematik.

Sa më shumë para të bëni, më pak taksa paguani

“Po, por”, protestojnë politikëbërësit dhe bosët e ndërmarrjeve, “këto kompani punësojnë njerëz dhe krijojnë fitime e paguajnë taksa mbi këto fitime”. Sa e vërtetë është kjo? Në rastin e Belgjikës, falë punës së think tank-ut të PVDA+/PTB+ (parti politike e majtë në Belgjikë), ne e dijmë se sa realisht paguajnë taksa këto kompani. Rregulli duket i thjeshtë: sa më e madhe kompania, paguan më pak taksa. Shumë shpesh ata nuk paguajnë asgjë fare. Kompani si “ArcelorMittal”, për shembull, filiali financiar i së cilës, “AMFSB”-ja arkëtoi 1.597 miliard euro më 2011 dhe pagoi zero centë taksa. (Shënim : në momentin e përkthimit të këtij artikulli ArcelorMittal sapo ka vendosur të heq nga puna 1300 puntorë në Belgjikë dhe pse kishte premtuar që do të qendronte).

Prapë duhet ta marrim Gjermaninë si shembull. Gjermanët e pasur po pasurohen çdo ditë, ndërkohë që shteti gjerman varfërohet vazhdimisht. Të hyrat e shtetit ranë për 800 miliard euro ndërmjet majit 1992 dhe fillimit të vitit 2012. Të pasurit, në anën tjetër, shënuan rritje vlereje në asetet e tyre për 1400 miliard euro gjatë viteve të krizës 2007-2012.

Ka shifra edhe më të habitshme. Rrjeti i Drejtësisë së Taksave, kohëve të fundit kalkuloi se super të pasurit kanë marrë as më pak e as më shumë se 21 trilion dollarë amerikanë (një përllogaritje konservative – shifra mund të shkojë deri në 32 trilion dollarë, siç e kanë llogaritur organizatat e tjera) prej vendeve të tyre dhe i vendosën ato në “streha taksash”. Belgjika, vendi ku unë jetoj, ka “nderin” të jetë e njohur ndërkombëtarisht si një “strehë taksash”. Nuk është befasi, fakti që Brukseli llogarit qindra super të pasur – azilantë taksash (krejt në fund, francezi Bernard Arnolt që është personi më i pasur në Evropë) që vijnë për t’i vendosur paratë e tyre këtu. Kurse, vetë belgët e pasur preferojnë llogaritë bankare në Zvicër. Banka Kombëtare Zvicerane kohëve të fundit kalkuloi se belgët e pasur kanë mbi 30 miliard euro të kursyera në llogari bankare zvicerane.

Sidoqoftë, kur kërkon për t’u marrë me “strehën e taksave” e për të pasur ridistribuim real të të hyrave dhe drejtësi fiskale, me shumë gjasë do të quheni naiv. Kështu quhen prej medias disa liderë në vende, ku e majta radikale ka arritur përcjellshmëri të lartë. Ata gazetarë injorojnë faktin që kërkesat për ridistribuim real dhe drejtësi fiskale nuk bëhen vetëm prej disa partive të vogla politike majtiste, por edhe prej sindikatave, organizatave të ndryshme, dhe për më tepër, përkrahen nga shumica e qytetarëve.

Duke i quajtur këto kërkesa “naive”, tregohet jo vetëm se sa i gabuar është qëndrimi neoliberal, por edhe se si media është bashkëfajtore në verbërimin tonë dhe në parandalimin tonë prej të pamurit të qasjeve të ndryshme në realitetin tonë, si dhe në krijimin e mundësive tjera, krahas këtyreve që kemi zgjedhur në këto tridhjetë vite të fundit.

Bleri Lleshi është filozof politik që jeton dhe vepron në Bruksel.

https://blerilleshi.wordpress.com/

https://www.facebook.com/Bleri.Lleshi

@blerilleshi

 Përktheu nga anglishtja në shqip: Fitim Salihu

3 thoughts on “Të shantazhuar nga elita e kapitalit

  1. Shumë po më bëhet qefi të lexoj këtë artikull në shqip. E kisha lexuar në hollandisht, por në shqip e shijoj dhe më shumë.
    Faleminderit për punën e mrekullueshme që bëni në Bruksel dhe që po na zbardh faqen, (nëse më lejohet ta them)

  2. Shume interesante por pse vetem dy artikuj ne shqip se kete hollandishten dhe frengjishten nuk i kuptoj fare. Anglishten cope cope te them te drejten

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s