Home

Si po guxojnë ata? Ata po guxojnë dhe sikur të papenguar nga askush po vazhdojnë tutje. Kush janë ata? Ata janë elita të caktuara që paturpësisht po e tejkalojnë çdo rregull politik, moral, shoqëror dhe ekonomik, në shërbim të përfitimit. Për disa ky është një përfitim i pastër material, të tjerët po e bëjnë për të fituar pushtet. Dhe kjo e ushqen pangopësinë e tyre. Thënë troç: është e gjitha një lojë. Një lojë që atyre iu pëlqen ta luajnë, dhe fakti që ata krijojnë viktima, nuk iu intereson aspak. Fitimet e tyre po rriten, anekënd botës, pavarësisht krizës.

Kjo është krizë për njeriun e zakonshëm, jo për këto elita. Ata luajtën një rol vendimtar në krizat më të fundit të kapitalizmit. Kriza, të cilat Karl Marksi i ka parashikuar si të pandashme nga sistemi kapitalist.

A e ka arritur kapitalizmi fundin e tij? A është ky një rast kur neoliberalizmi po jep shpirt, siç kemi dëgjuar të flitet rreth e rrotull? Nuk besoj.

Është interesante se sa pak kapitalizmi është marrë seriozisht, ose thënë ndryshe: se sa i ulët është llogaritur kërcënimi i tij për shoqërinë. Nuk duhej të ishte kështu, sepse kur shohim mbrapa në histori, nuk gjejmë një sistem tjetër kaq dinamik. Falë këtij dinamizmi kapitalizmi do të shpëtojë dhe do ta mbajë veten në këmbë.

A do të thotë kjo që nuk kemi asgjë për të bërë kundër tij? Që ne nuk duhet të mendojmë dhe punojmë drejt alternativave tjera. Kjo është sot pyetja në këtë debat: çfarë të bëjmë tani?

Nevojë për aksion

Për mua është e qartë: kemi nevojë për aksion.

Pse?

– Sepse shumë e më shumë njerëz po përfundojnë në varfëri dhe po përjashtohen prej shoqërisë; pabarazia kurrë nuk ka qenë më e madhe dhe ajo po shkon duke u thelluar akoma më shumë.

– Sepse proletariati i ri po rritet dita-ditës. Qytetet janë mbushur me njerëz në kërkim të një jete më të mirë, të cilët me gjasë do të përfundojnë në margjinalitet.

– Sepse shumë migrantë, refugjatë nuk dinë më se çfarë do të thotë të ndërtosh një jetë, andaj përfundojnë gjithashtu në margjinalitet.

– Sepse pothuajse gjysma e popullsisë botërore duhet të mbijetojë me më pak se tre dollarë në ditë, përderisa elitat shpesh nuk dinë se si t’i shpenzojnë milionat e tyre. Sikurse rasti i mbretit të Spanjës, i cili del për gjueti elefantësh, ndërkohë që populli i tij po vdes urie?

Sot, ne kemi shumë arsye për të qenë të indinjuar. Ne kemi shumë arsye për t’u ngritur në këmbë, te angazhohemi dhe të rezistojmë në betejën kundër sistemit të sotshëm neoliberal kapitalist.

Shumëçka po ndodh anembanë botës. Por, për shkak të përmasave të krizës sot, dhe parashikimeve akoma më të këqija rreth saj, akoma më shumë duhet të ndodhë.

Aksionet e lëvizjes “los indignados” (të indinjuarit), lëvizjes “Occupy” (“Pushto”), minatorëve dhe madje edhe pensionistëve në Spanjë, Greqi, ShBA, Kili, Kanada janë të admirueshme. Por ata nuk e kanë të lehtë të organizohen dhe kanë mbetur të kufizuar në grupe të caktuara, të izoluar nga pjesa tjetër e popullsisë. Po mungon një lëvizje e gjerë. Për më tepër, bashkëpunimi ndërkombëtar është thjesht zero, kur mjetet moderne të komunikimit dhe transportit kurrë nuk kan qenë më të mira dhe më të shpejta.

Një organizim më i mirë dhe një bashkëpunim më i madh ndërkombëtar do t’i bënte këto aksione më të dukshme dhe shumë më efektive.

Lufta e studentëve në Kanada dhe Greqi, beteja e minatorëve në Spanjë, lëvizjet dhe alternativat e ndryshme për sistemin në Spanjë dhe Greqi, janë shembuj pozitiv.

Por unë gjithashtu shoh lloje  aksionesh, të cilat jo gjithmonë mund dhe dua t’i përkrah. Aksione që i kam mirëpritur për sa kohë që ato kanë ngritur vetëdijen e njerëzve, por që në të njëjtën kohë më kanë lënë me mbresa të përziera. Tani nuk do të hyjë në detaje rreth kësaj, por kush ishte këtu vitin e kaluar, ka mund të dëgjoj hyrjen e paraqitur nga Dominique Willaert (një ligjëratë që mund ta lexoni edhe në dewereldmorgen.be), ku ai ngrit një pyetje kryesore: “A po degradon beteja sociale në një agjenci ngjarjesh festive?”. Unë kryesisht pajtohem me këtë analizë. Dallimi qëndron në angazhim. Unë e shoh angazhimin si diçka pozitivie. Më shumë rreth kësaj, mund të lexoni më poshtë në argumentimin tim.

Ne pajtohemi në një pikë: aksioni është i nevojshëm. Aksioni për hir të aksionit, mua nuk më duket ide e mirë. Secili aksion duhet të përçojë përreth një mesazh pa mëdyshje dhe të qartë, për të qenë efektiv.

Informacioni i paraprin aksionit

Për këtë po mendoj se ne duhet t’i informojmë njerëzit se çka është duke ndodhur. Prandaj jam i lumtur me librat, sikurse ai i Peter Mertens-it (kryetar i Partise se Punes ne Belgjikë), një libër rreth krizës së shoqërisë, që gjeti vend në rafte ndërmjet librave me receta të VTM (televizion komercial Belg) dhe kuzhinierëve tjerë.

Ne duhet të sjellim informacione kritike rreth asaj që është duke vajtur keq dhe arsyeve të kësaj, nëpërmjet sa më shumë kanaleve që të jetë e mundur.

Dhe kjo është një sfidë e shumanshme.

Para së gjithash, ne duhet të formulojmë një analizë të shëndoshë dhe t’i gjejmë kanalet për të informuar njerëzit në lidhje me analizën tonë.

Një sfidë tjetër është të formuluarit e kritikës. Kritikës konstruktive. Ne duhet të kërkojmë për alternativa dhe nëse shohim se nuk kemi të tilla, ne duhet t’i shpikim vetë dhe t’i bëjmë të mundshme. Një detyrë jo e lehtë, por të cilën nuk mund ta anashkalojmë po qe se duam që njerëzit ta përcjellin punën tonë.

Dhe këtu unë shoh një punë për elitën intelektuale, për aktivistët, për njerëzit që angazhohen në nivele të ndryshme të kësaj beteje, qoftë në teori apo në praktikë.

“Intelektual” nuk është një fjalë e pështirë për mua. Ndryshimi shoqëror pa angazhimin e intelektualëve, për mendimin tim, është i pamundur.

Për ta përmbledhur: të informuarit e popullit dhe në të njëjtën kohë puna drejt alternativave konstruktive, besoj se ka për të qenë esenciale në zgjimin e vetëdijes popullore dhe të ndryshimit. Nëse nuk kemi vetëdije individuale dhe kolektive, atëherë nuk do te lëvizim pëprara.

Politizim

Të informosh dhe t’i bësh njerëzit të vetëdijshëm, është rrugë drejt politizimit të tyre. Pothuajse çdo gjë është politikë, por ne jetojmë në kohëra kur praktikuesit e politikës shkelën me këmbë nga elitat ekonomike dhe financiare . Edhe individi ka krijuar bindjen se politika nuk është asgjë fare, në fund të fundit. Shoqëria jonë është një shoqëri e depolitizuar. Nëse duam të luftojmë për më shumë drejtësi sociale, për më shumë barazi, për më shumë solidaritet global dhe për globalizimin e të drejtave të njeriut, atëherë duhet që të politizojmë popullin.

Kush e nënvlerëson rëndësinë e politizimit, është për mendimin tim,  në rrugën e gabuar. Shteti sot është depolitizuar dhe kryesisht është i zënë me menaxhment ditor, jo me politikë. Politikanët diskutojnë rreth çështjeve më të vogla të jetës së përditshme, si pirja apo mospirja e duhanit, se si ne duhet të hajmë, mirëqenies sonë psikosociale, dhe kështu me radhë.

Gjithashtu, organizatat e shoqërisë civile janë pothuajse tërësisht të depolitizuara. Njëjtë sikurse populli. Një shembull: kur studentët e mi u pyetën se për kë kanë votuar në zgjedhjet e fundit, pothuajse 60% u përgjigjën, se kanë votuar për Bart De Wever (lider konservator e nacionalist i partisë më të madhe flamande me tendenca ekstremiste – v.p.). Në përgjigjen e pyetjes, se përse kanë votuar për të, askush nuk shkoi më larg se “ai është mjaft qesharak”, “del shpesh në TV” dhe “De slimste mens ter wereld” (loje ne televizionin flamand).

Pjesëmarrje, fuqizim dhe organizim

Siç kam thënë dhe më parë, kemi shumë forma të aksionit, por akoma unë pres për aksione nga dhe për ata që kanë më së shumti nevojë për të: të përjashtuarit shoqëror. Ata që janë të shfrytëzuar, që jetojnë në varfëri. Miliarda njerëz që duhet ta kalojnë ditën me më pak se dy dollarë në ditë. Prekariati (për më tepër, shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Precariat, vërejtje e përkthyesit), proletariati i ri (quane si të doni), që nuk konsiderohet të jenë pjesë e sistemit, kur sistemi është përgjegjës për kushtet e jetesës së këtyre njerëzve.

Unë besoj që këtu duhet të jetë fokusi ynë. Sikurse Marksi në kohën e tij u përqendrua tek klasa punëtore. Proletariati i ri është një klasë që nuk ka shumë për të humbur dhe mund të lëviz në aksion dhe të luftojë. Por, shumë punë dhe energji duhet investuar tek ata, sepse nuk janë të informuar, nuk janë të vetëdijshëm dhe nuk janë të organizuar.

Përsëris: është një obligim për intelektualët që të bashkëpunojnë me këta njerëz dhe t’i informojnë ata, në mënyrë që ata të vetëdijesohen se përse janë në këtë gjendje, si dhe të vendoset bashkërisht  se çfarë aksionesh konkrete mund të ndërmarrin në betejën kundër sistemit që po i shtyp dhe ndrydh ata.

Beteja duhet të organizohet. Nëse ngrihemi kundër sistemit më dinamik që ka parë njerëzimi ndonjëherë, duhet të organizohemi nëse dëshirojmë të kemi çfarëdo gjasa për sukses. Për këtë kisha ndjenja të përziera në rastin e “indignados”, “Occupy Wall Street” apo Pranverës Arabe. Këtu na duhej spontaniteti, sepse pa spontanitet me gjasë nuk do të ndodhte kaq shumë. Por i rëndësishëm sa spontaniteti, dhe unë madje besoj që edhe më i rëndësishëm, është organizimi. Unë besoj që koncepti “spontanitet i organizar”, siç e quante Herbert Marcuse (filozof dhe lider intelektual i lëvizjes studentore të 1968), sot mund të bëhet jashtëzakonisht tërheqës dhe i kuptimtë në betejën kundër kapitalizmit. Sipas mendimit tim kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të ndodh sot.

Indinjimi dhe rezistenca

Në këto kohëra ne duhët të provojmë për të bërë diferencën kudo që mundemi. Beteja, dedikim, angazhim… quane si të doni ju. Më është kërkuar të them diçka rreth “Si kalojmë nga analiza në indinjim dhe nga indinjimi në rezistencë konkrete?”. Kjo është një pyetje shumë interesante, të cilës do doja t’i përgjigjesha duke shfrytëzuar shembuj prej një teme që unë e njoh mirë: azili dhe migrimi.

Janë të pakta temat që janë diskutuar kaq shumë në media dhe në mesin e njerëzve. Në të njëjtën kohë, kjo tematikë është anashkaluar e nënvlerësuar nga të gjitha partitë politike të këtij vendi (Belgjikës, v.p.). Dhe në shërbimet e tyre të studimeve, kemi të bëjmë me njerëz që e quajnë veten “ekspertë”. Këto janë tema që veçanërisht, Partia N-VA (Aleanca e Re Flamane, parti konservatore dhe nacionaliste flamane, që kërkon ndarjen e Flandrisë nga Belgjika. Nga zgjedhjet e fundit doli si partia më e madhe në vend, dhe udhëheqet nga De Wever. – v.p.) po i përdor me entuziazëm vetëm sa për të përfituar vota, duke u paraqitur vazhdimisht me këtë temë në media, përderisa askush nuk di se si t’i kundërtshojë.

Dua t’iu flas shkurtimisht për dy aksionet e fundit të mëdha, në të cilat kam marrë pjesë si aktivist.

Aksioni i parë ishte greva e urisë në VUB (Vrije Universiteit Brussel – v.p.). Shumë pak ishin indinjuar me situatën e tyre dhe me atë se si këta njerëz në vendin tonë janë trajtuar sikur të pavlerë. Por pashë shumë indinjatë rreth faktit se përse ata po bënin një grevë urie. ‘Shantazh’, ‘kjo nuk është e kryer’, ‘pasens’. Kështu thirrej në kor, që nga Etienne Vermeersch (filozof dhe opinionist belg – v.p.) e deri tek Tom Naegels (shkrimtar dhe gazetar belg – v.p.).

Së bashku me një grup studentësh, një prift dhe një mjek ne i kemi ndihmuar këtyre grevistëve të urisë. T’i linim vetëm me fatin e tyre, nuk e merrnim as si opison. Nga ajo që pamë tek ta për çdo ditë, ne po bindeshim se ata ishin duke e dëmtuar vetveten fizikisht dhe psikologjikisht. Por ishte zgjedhja e tyre, një zgjedhje e bërë prej dëshpërimit.

Nuk qe e lehtë që të angazhonim njerëzit. Pse jo? Mënyra sesi ata mendonin rreth grevistëve të urisë, kishte të bënte me atë se çfarë kishin lexuar dhe dëgjuar në media. Po e krijuan një herë njerëzit opinionin e tyre, nuk duhet të provosh që t’i bindësh ata për të marrë pjesë në aksione. Së pari duhet t’i bindësh se greva e urisë nuk kishte të bënte asgjë me ndonjë “shantazh”.

Shumë aktivistë, siç i quaj unë “të dyshuar të zakonshëm”, ishin lodhur nga aksionet e tjera që kishin rezultuar me pak apo me asgjë, ose aksione që ishin “paguar shumë shtrenjtë”, për shkak të qëndrimit dhe veprimit pothuajse si të vetëm.

Por çka më goditi mua më së rëndi ishte mungesa e organizatave të shoqërisë civile. Shumë organizata që marrin fonde (prej Flandrisë, Belgjikës apo Evropës) apo donacione që të punojnë me refugjatë, qëndruan mënjanë si spektatorë pasiv.

Aq pasiv kanë qenë edhe partitë politike. Sikurse tani edhe atëherë, disa parti politike e kanë dërguar ndokënd në vend-ngjarje “që të shoh”, por ato kurrë nuk kanë arritur që të marrin një qëndrim, të marrin një pozicion dhe të ecin para në fazat tjera. Freya Piryns nga Partia e Gjelbër! nënshkroi bashkërisht një pjesë opinioni që unë kisha shkruar, por në televizion, tek “Terzake” (“Çështja”) ajo iu qas ndryshe problemit.

Përpjekjet e mia dhe të ca të tjerëve për të përfshirë në këtë ngjarje organizatat e shoqërisë civile, dështuan. Ato refuzuan dhe nuk kishin ndërmet që të marrin qëndrim nga frika se mos do dilte e papëlqyeshme për opinionin e gjerë publik.

Aksioni i dytë në të cilën isha përfshirë, qe një rast kundër dëbimit të një afgani të ri, Parwais (mbiemri: Sangari – v.p.), ku edhe një herë po tregohej fytyra johumane dhe e padrejtë e politikave të azilit të këtij vendi (Belgjikës – v.p.).

Ky rast ishte pak më ndryshe nga ai me grevistët e urisë. Ky ishte rreth një djaloshi të mirëintegruar, që ishte i punësuar këtu, andaj edhe kishte më shumë njerëz që shprehën indinjatën me fatin e tij. Dhe kryesisht e shprehën këtë në Facebook. Për sa kohë që aksionet ndërmirren jashtë mediave sociale, pothuajse ke humbur një pjesë të madhe të simpatizuesve.

Dhe atëherë, kur ti mbledhesh me një grup njerëzish, shtrohet pyetja se çfarë aksioni të ndërmirret. Si ta konvertosh këtë indinjatë në aksion? Këtu qëllon një detyrë aspak e lehtë, sepse secili e ka idenë e tij/e saj, dhe këtu del nevoja për një dialog të shtuar. Por, ta realizosh një aksion si qytetar, të nevojiten burimet dhe njerëzit, ndërkohë që këto po mungojnë, sepse edhe një herë partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile po dështojnë kur vjen puna për ta treguar dhe ekspozuar veten në këto çështje. Ndonëse, duhet thënë se tek rasti Parwais-it ato ishin më shumë prezente.

Së bashku të fuqishëm

Pa kontributin e organizatave të vogla dhe të mëdha, të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, nuk ka për të ndryshuar shumë. Për këtë arsye, unë besoj se ne duhet të përqendrohemi jo vetëm tek qytetatarët si individë, por poashtu edhe tek shoqëria civile apo organizatat për të ndryshuar gjërat. Veçanërisht, kur duam t’i ndryshojmë ato në terma afatshkurtër, ato janë shumë të nevojshme.

Këtu shtrohet nevoja urgjente për të ndryshuar diçka, dhe partitë politike dhe këto organizata duhet që të nisin një debat të brendshëm dhe të jashtëm rreth kësaj. Ato duhet të dalin me një alternativë, me një diskurs të ri për të informuar qytetarët, të cilët po presin për t’u angazhuar dhe për të marrë pjesë në këtë betejë, dhe që t’i ofrojnë atyre ndihmë në angazhimin e tyre.

Fragmentimi i dukshëm i organizatave, lëvizjeve dhe popullit është i pabesueshëm dhe përshfaq se sa e rëndësishme është për ne që të punojmë së bashku. Që të organizohemi së bashku.

Falë Parwais-it dhe një numër rastesh tjera që kanë dalë në sipërfaqe, kemi një indinjim të shtuar në mesin e shumë njerëzve. Ne e kemi për detyrë që ta shfrytëzojmë këtë indinjim! Dhe tani është koha ta përkthejmë këtë indinjim në një angazhim konstruktiv. Koha është për një kontribut konstruktiv për shoqërinë tonë, sepse rastet sikur ky i djaloshit Parwais, na përkujtojnë se shoqëria jonë po shkatërrohet. Sot është “tjetri” anonim që do ta durojë padrejtësinë. Por nesër, ka për të qenë njëri nga ne në këtë sallë, unë ose ju.

Çka mund të bëjmë ne bashkërisht? Çfarë mund të bëjë unë me këtë padrejtësi që po ndodh në emër timin? Si mund të ndërmarrim aksion?

Unë mendoj se ne, si qytetarë, mund të bëjmë shumë. Vetë fakti që ne i bëjmë gjërat së bashku në solidaritet dhe luftojmë për drejtësi, është tanimë shumë shpresëdhënëse.

Vetë unë, jam i angazhuar në shkrime, realizime dokumentarësh dhe forma të tjera të aktivizmit. Unë kurrë nuk do arrija të bëjë gjithë këtë punë që po e bëj, pa ndihmën e pakushtëzuar të dhjetëra njerëzve përreth meje, të cilët i rilexojnë artikujt e mi, që i bëjnë korrigjimet, i përkthejnë, e shpërndajnë fjalën time dhe më ofrojnë ide dhe reagime.

Për kauzën e sans-papiers (njerëz pa letra të rregulluara të migrimit), dhjetëra njerëz dalin në demonstrata. Unë njoh studentë të mi, të cilët i lëshuan një pjesë të ligjëratave të tyre, vetëm sepse refuzojnë të pranojnë padrejtësinë, që ata e shohin të ndodh para syve të tyre.

Të gjithë këta qytetarë që dëshirojnë ndryshimin, kanë nevojë për përkrahje për t’u organizuar (p.sh. në çështjen e azilit dhe migracionit). Këtu qëndron rëndësia e përkrahjes prej të gjitha llojeve të organizatave të shoqërisë civile. Ato duhet të marrin një qëndrim dhe të hedhin hapa para. Fundja, ato duhet bërë atë që pritet nga ato: t’i bëjnë presion politikës në një mënyrë kritike dhe jo të vallëzojnë vallen sipas muzikës së politikëbërësve.

Ne kemi nevojë për këto organizata, sepse ato kanë dijen, kontaktet, ekspertizën, strukturat, materialet dhe burimet për të organizuar aksione dhe për t’i bërë ato aksione të suksesshme. Ato na e kanë provuar këtë në të kaluarën. Sot, ne kemi nevojë për to më shumë se atëherë. Forcat duhen bashkuar. Në një angazhim konstruktiv për drejtësi dhe humanizëm. Së bashku ju do të jeni më të fortë.

Bleri Lleshi është filozof politik, producent filmash dokumentar dhe aktivist. Jeton e vepron në Bruksel të Belgjikës. Është duke u doktoruar në temën “Lufta e të përjashtuarëve nga shoqëria”.  Libri i tij i dytë “Shteti penal neoliberal” do të botohet këtë vjeshtë.

Shënim: Kjo ligjëratë u mbajt në një debat të madh me politikanë Belgë, akademik dhe njerëz nga shoqëria civile. Nga gjuha holandeze u përkthye në anglisht nga Loesja Klimczak, kurse përkthimin nga anglishtja në gjuhën shqipe e bëri Fitim Salihu.

Për më shumë informacion dhe për të ndjekur punën e autorit

https://blerilleshi.wordpress.com

https://www.facebook.com/Bleri.Lleshi

Twitter @blerilleshi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s